1

3.4 milionë me Toyota Yaris/ Çfarë ndodhi në gjyqin me dyer të mbyllura. Prokuroria forcon akuzat, avokati: Eshtë fluskë sapuni!

               Publikuar në : 10:56 - 12/07/18 |
ri.de.

Gjykata për Krimet e Rënda i ka lënë në burg 4 të arrestuarit e 3.4 milionë eurove të bllokuara në portin e Durrësit më 24 Qershor. Në seancën e rivlerësimin të zhvilluar këtë të enjte ndaj Edi Likës, djalit të tij Klevi, Arben Çekës dhe Alban Mollaymerit, Krimet e Rënda lanë në fuqi masën “arrest me burg”, dhënë nga Gjykata e Durrësit më 28 Qershor. Por jo vetëm kaq, nga gjyqi me dyert të mbyllura është mësuar se prokuroria ka folur për rolet e secilit prej të akuzuarve duke thënë se “ishte një grup i strukturuar kriminal”. Çështja po hetohet nga prokurorët Ened Nakuci dhe Doloresa Musabelliu.

Sipas prokurorëve, 4 personat e arrestuar dhe 2 të tjerë në kërkim, Elvis dhe Alfred Vladi janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Kushërinjtë Vladi, sipas akuzës, janë personat që kanë porositur makinat në Belgjikë, ku dyshohet se janë marrë dhe paratë e sekuestruara në 2 makina Toyota Yaris.

Rolet: Elvis Vladi organizoi gjetjen e makinave në Belgjikë. Edi Lika, Klevi Lika dhe Arben Çeka do të merreshin me transportin deri në Shqipëri. Në portin e Durrësit mjetet do të priteshin nga Alfred Vladi dhe Alban Mollaymeri të cilët do të kryenin procedurat e zhdoganimit.

Ndërsa avokati i Edi Likës, Saimir Vishaj në përfundim të seancës, foli për mediat, duke theksuar se akuza e prokurorisë për “grup i strukturuar kriminal” nuk qendron.

Vishaj: “Është shtuar dhe akuza e re që ka të bëjë me grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal. Ajo që ne vazhdojmë kërkojmë nga prokuroria dhe gjykata është që në lidhje me akuzën pastrimi i produkteve nga vepra penale, sot prokuroria dhe gjykata nuk dinë çfarë vepre penale është kryer dhe pastaj të analizojmë që këto eurot e gjetura janë pastrim që rrjedhin nga ndonjë vepër penale apo janë para të mbledhura nga emigrantët. Nuk dihet akoma sepse dhe prokuroria është konfuze se çfarë vepre penale konkrete është kryer.
Ishin të njëtat prova dhe dyshime që ekzistonin dhe në gjykatën e shkallës së parë Durrës e cila shpalli moskompetencën dhe për çudi sot janë regjistruar dhe dy emra të tjerë, është sekret hetimor. Nuk janë më katër veta por janë gjashtë veta persona në hetim.

Pyetje: Cilët janë argumentat që kundërshtoni arrestin me burg?

Avokati Vishaj: Së pari mospasja dijeni e të pandehurve lidhur me sasinë e eurove që janë gjetur në Toyotat, asnjë nga personat në hetim nuk ka pasur dijeni dhe jo më të ketë ndonjë veprim të kundraligjshëm dhe aq më tepër që i mbrojturi prej meje Edi Lika ka qenë në masë sigurie arrest shtëpie dhe imagjino kur je në arrest shtëpie të shkosh dhe realizosh arrest flagrant është jashtë çdo lloj logjike dhe procedure ligjore.

Meqenëse prokuroria e Durrësit shpalli moskompetencën sepse e dinte që kjo ishte vetëm një kundravajtje penale, sepse mosdeklarimi i të hollave në kufi është kundravajtje penale dhe nuk justifikon arrestin.Për të mbrojtur arrestin që u bë kaq zhurmë në publik u caktua dhe masa e sigurimit nga gjykata e shkallës së parë të krimeve të rënda duke u shtuar dhe tre akuza shumë të rënda për të përligjur arrestin. Por jam i bindur se do të jetë vetëm një fluskë sapuni në fund”, tha avokati.

/Opinion.al

Pas