-Politikë, Kryesore

140 vjetori i Lidhjes së Prizrenit, Presidenti Meta: Ngjarje lapidare

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Duke folur në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Presidenti Ilir Meta u shpreh se kjo lidhje u krijua në një situatë të vështirë për Kombin Shqiptar pasi fqinjët kërkonin që të aneksonin territoret tona.

‘Kjo është një ngjarje lapidare në historinë e Kombit tonë.

Kjo lidhje ishte vazhdimi i Lidhjes së Lezhës e bërë nga Gjergj-Kastrioti Skëndërbeu shekuj me parë.

Që në fillim të saj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u përball me sfida të jashtëzakonshme të brendshme dhe ndërkombëtare. Në rrafshin e brendshëm Lidhja u përball me vështirësi për bashkimin e 4 Pashallëqeve, krijimin e ushtrisë dhe ndërmarrjen e një aksioni ushtarak.

Në planin ndërkombëtar Lidhja Shqiptare e Prizrenit e ushtroi veprimtarinë e saj në një nga situatat më të rrezikshme për kombin shqiptar dhe fatin e tij.

Kriza lindore ruso-osmane dhe traktati i Shën Stefanit tentonin të zhduknin nga faqja kombin shqiptar dhe të aneksonin territoret e Shqipërisë’, tha Presidenti Ilir Meta gjatë fjalës së tij.

Meta tha se ‘dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës e zgjerimi i lirive e të drejtave të shqiptarëve në hapësirat e tyre në Ballkan nuk ndahen asnjë çast nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, vizionet e aspiratat e saj. I përjetshëm qoftë kujtimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe e paharruar jeta e vepra e themeluesve të saj! Zoti i bekoftë Shqipërinë, Kosovën e mbarë shqiptarët!’

Më pas ai ka marrë pjesë edhe në ceremoninë e nisjes së busteve të udhëheqësve të Lidhjes.

‘Nder e privilegj që së bashku me kryeministrin Haradinaj dhe Rifat Jasharin të merrnim pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të Qeverisë së Lidhjes së Prizrenit’, shkruan presidenti Ilir Meta në Facebook.

 

Lajmi ParaLajmi Pas
« Kthehu Rifresko